Fiskalizimi për transaksionet pa para në dorë B2B, me fuqi nga 01 Korrik 2021.
Nga data 01 Janar 2021, hyri në fuqi Ligji nr. 87/2019 “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”. Faza e parë implementimit u krye me subjektet që kishin transaksione me qeverinë (B2G) ndërkohë që duke filluar nga 01 Korrik 2021 grupi i dytë që i nënshtrohet detyrimit për të zbatuar këtë ligj është grupi i bizneseve që kryejnë transaksione me biznese të tjera pa para në dorë.
Sistemi i fiskalizimit mundëson komunikimin me platformën qendrore të faturave manaxhuar nga AKSHI dhe administrata tatimore, ku në momentin e lëshimit të një fature, ajo kalon automatikisht në platformën qendrore të faturave nëpërmjet së cilës blerësi mund të kontrollojë të dhënat e faturës, t’i korrigjojë dhe ta pranojë atë.
Në mënyrë që tatimpaguesi të fillojë të lëshojë fatura elektronike duhet që të ketë siguruar infrastrukturën e nevojshme përpara hyrjes në fuqi të Ligjit. Në këtë rast, tatimpaguesi duhet të
pajiset me një çertifikatë elektronike e cila gjenerohet nga AKSHI,
të blejë software që mundëson lidhjen me platformën qendrore nga ofrues të çertifikuar.
Me plotësimin e këtyre hapave, tatimpaguesi duhet të bëjë konfigurime të caktuara në software lidhur me të dhënat e operatorëve apo adresave, sipas kërkesave të Ligjit.
Për moszbatimin e dispozitave të këtij ligji apo çdo veprim, mosveprim apo shkelje, që bie në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji, aplikohen sanksionet dhe dënimet sipas përcaktimeve në ligjin “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”.
Për më shumë informacion: info@legalealbania.com