Ndryshime të rëndësishme në Kodin e Procedurës Civile

Është publikuar në Fletoren Zyrtare, më datë 14.05.2021, Ligji nr. 44/2021 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8116, datë 29.3.1996, “Kodi i Procedurës Civile i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar"” i cili hyn në fuqi më 29.05.2021. Me këtë ligj, kryesisht, është ndërhyrë në parashikimet mbi konfliktin mbi kompetencën dhe juridiksionin, përjashtimin e gjyqtarit, shqyrtimin e padive me shuma të vogla, gjykimin pranë Gjykatës së Apelit dhe asaj të Lartë dhe njësimi i praktikave gjyqësore nga Gjykata e Lartë.

Dy janë ndryshimet esenciale përmirësuese që prekin drejpërsëdrejti vlerën e padive, efikasitetin dhe shpejtësinë e gjykimeve civile:

ngritja e kufirit të vlerës së padive, që burojnë nga marrëdhënie kontraktore, e që konsiderohen dhe trajtohen si gjykim i padive me shuma të vogla që gjykohen nga një Gjyqtar si në shkallë të parë ashtu edhe në Gjykatën e Apelit. Kjo vlerë bëhet sa njëzetëfishi i pagës minimale në shkallë vendi; dhe
gjykimi i ankimeve të veçanta kundër vendimit të refuzimit të kërkesës për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit, ankimet e veçanta kundër vendimit të gjykatës që ka shqyrtuar kundërshtimin e veprimeve të përmbaruesit gjyqësor, si dhe rastet e tjera të parashikuara në Kod.

Me këto ndryshime në KPC po tentohet zhbllokimi i shumë çështjeve që janë pezull në Gjykatat e Apelit dhe që nuk po trajtohen në kohë si pasojë e largimeve nga detyra të shumë gjyqtarëve të këtyre gjykatave.

Për më shumë informacion: info@legalealbania.com

Legale Albania

http://legalealbania.com