Puna në shtëpi, interpretim provizor i Inspektoriatit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, Dega Tiranë
Tashmë prej nje periudhe më shumë se 12 mujore e gjithë bota është goditur nga pandemia Covid – 19, por më shumë kjo goditje ndihet në organizimin dhe funksionimin e punës në shoqëri tregtare të cilat kanë një peshë të madhe në numrin e lartë të të punësuarve.
Për respektimin e kufizimeve ligjore dhe ruajtjen e distancës, nga situata e krijuar nga pandemia COVID-19 në Shqipëri, janë të shumta Aktet Normative të Këshillit të Ministrave, konvertuar në Ligj nga Kuvendi i Shqipërisë, urdhrat dhe Protokollet e Ministrisë së Shëndetësisë të cilat janë ende në fuqi. E gjithë kjo masë aktesh detyruese ka vendosur Punëdhënësit shqiptarë në vështirësi që nga njëra anë të garantojnë vijimin e punës dhe nga ana tjetër të zbatojnë normat detyruese për ruajtjen nga përhapja e Covid - 19.
Së fundmi, Inspektoriati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, Dega Tiranë, ka nxjerrë një Vendim përfundimtar inspektimi ku lë si detyrë për një Punëdhënës (i cili si pasojë e Covid – 19, për të respektuar distancat dhe mospërqëndrimin e shumë personave, ka organizuar punën duke punuar dy javë nga shtëpia dhe dy javë në ambientet e punës) që të ndryshojë Kontratat individuale të Punës në fuqi me arsyetimin se sipas nenit 15 të Kodit të Punës duhet të lidhen kontrata individuale të reja për punën në shtëpi.
Si pasojë e këtij ndryshimi Punëdhënësi, sipas këtij Inspektoriati, ka detyrimin të paguajë të gjitha shpenzimet sipas parashikimit të nenit 126 të Kodit të Punës.
Sipas mendimit tonë këto vendime, të cilat nuk kanë lidhje logjike me kontekstin aktual pandemik por edhe me ligjet e aktet ligjore kombëtare dhe ndërkombëtare në fuqi, ndërhyjnë në autonominë kontraktore të palëve dhe janë një barrë dhe kosto shtesë për subjektet që kanë një numër relativisht të larte punonjësish dhe duhet të ndalohen.
Ky Vendim i ISHPSHSH është ankimuar nga ana jonë në Komisionin e Ankimimit të Inspektoriatit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore dhe më tej, në rast se do të lihet në fuqi ky Vendim, do të bëhet objekt gjykimi në Gjykatën kompetente.
Për më shumë informacion: info@legalealbania.com