Administrimi kolektiv i të drejtave të autorit

Në Fletoren Zyrtare, më datë 15.06.2021, është publikuar Udhëzimi nr. 336, datë 10.6.2021 “Për një ndryshim në udhëzimin nr. 385, datë 13.10.2020, “Për përcaktimin e kritereve dhe procedurave për marrjen e licencës për administrimin kolektiv të të drejtave të autorit, ripërtëritjen e saj, si dhe përcaktimin e kritereve dhe procedurave për pezullimin dhe heqjen e licencës”, në zbatim të Ligjit nr. 35/2016, datë 31.03.2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, të ndryshuar, i cili hyn në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Ndryshimet e fundit kanë të bëjnë me kritere shtesë për marrjen e licencës si Agjenci Administrimi Kolektiv i të drejtave (shkurtimisht AAK) të cilët, për të kryer kompetencat e administrimit kolektiv të të drejtave të autorit, përveç sa parashikuar në ligjin nr. 35/2016, datë 31.3.2016, tashmë duhet të paraqesin deklaratë pëlqimi me shkrim nga titullarët e të drejtave që i autorizojnë për administrimin e të drejtave të tyre si dhe dëshmi për shprehjen e vullnetit për përfaqësim reciprok me agjencitë e huaja, në gjuhën shqipe.

Afati për paraqitjen e kësaj deklarate është brenda 6 muajve pas marrjes së licencës për kategorinë përkatëse të të drejtave të autorit ose të drejtave të tjera të lidhura me to.

Për ripërtëritjen e licencës, në mënyrë që të kryejë administrimin kolektiv të të drejtave të autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me to, AAK-ja, duhet të ketë kontratë të shoqëruar me lista të plota të titujve të veprave, të cilat do të administrohen si dhe duhet të vërtetojë respektimin e marrëdhënieve të reciprocitetit me agjencitë e huaja me të cilat është lidhur marrëveshje/kontratë përfaqësimi.

Këto ndryshime janë të nevojshme për administrimin kolektiv të të drejtave të autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me to, pasi disponimi i një kontrate të nënshkruar midis një AAK-je dhe mbajtësve të të drejtave si dhe parashikimi se cilat do të jenë ekzaktësisht këto të drejta, bën të mundur shmangien e cdo abuzimi që mund të bëhet në lidhje me administrimin e këtyre të drejtave dhe proceseve gjyqësore të shumta që kanë patur si objekt pikërisht kontestimin mbi mangësitë e më sipër listuar.

Për më shumë informacion: info@legalealbania.com

Legale Albania

http://legalealbania.com