Likuidimi i thjeshtëzuar i një shoqërie tregtare
Janë jo pak rastet në praktikë kur një shoqëri tregtare, për arsye nga më të ndryshmet që i përkasin rrethanave të brendshme apo të jashtme, duhet të prishet dhe më tej sipas procedurave të ç’regjistrohet nga regjistri tregtar që përmban QKB (Qendra Kombëtare e Biznesit). Ndodhur në këto kushte ortakët/aksionarët e shoqërisë tregtare kanë përpara disa alternativa proceduriale që parashikohen kryesisht në ligjin nr. 9901/2008 “per tregtarët dhe shoqëritë tregtare”.
Shumica e rasteve që propozojnë profesionistët, qofshin ata Avokatë apo ekspertë të fushës fiskale, është ai i likuidimit në gjendjen e aftësisë paguese (neni 190 i ligjit nr. 9901) ose ndryshe njohur si likuidimi me emërim likuidatori dhe që praktikisht është edhe mënyra klasike e likuidimit të një shoqërie tregtare e cila kërkon më shumë kohë dhe që shoqërohet me kosto të shtuara. Kohëzgjatja dhe kostot që mbart likuidimi me likuidator bëjnë që shumë subjekte të mos marrin asnjë veprim duke lënë bizneset e tyre në gjendje jo aktive por të regjistruara në QKB.
Ligji nr. 9901/2008 parashikon edhe një mënyrë tjetër të likuidimit që nuk përdoret shumë nga profesionistët e fushës e cila titullohet “likuidimi i thjeshtëzuar” dhe rregullohet nga nenet 204 e vijues të ligjit, ndërkohë procedurat e ndjekura në këtë rast (duke përmbushur disa parakushte që kanë të bëjnë kryesisht më mospasjen e detyrimeve ndaj të tretëve dhe punonjësve) janë shumë më të shpejta, me kosto më të ulët dhe si përfundim arrijnë të njëjtin rezultat.
Legale Albania zgjedh e praktikon prej vitesh - në seksionet tregtare të Gjykatave sipas kompetencës tokësore ku ndodhet selia e shoqërive tregtare - me sukses likuidimin e thjeshtëzuar si një alternativë e aplikueshme ndaj likuidimit klasik duke ju përgjigjur kërkesës së subjekteve për ç’regjistrimin e tyre të shpejtë pranë QKB -së.
Për më shumë informacion: info@legalealbania.com