Regjistri i pronarëve përfitues gati brenda 31 janarit të vitit 2021
Në zbatim të detyrimit për përafrim të legjislacionit shqiptar me atë të BE-së (Direktiva BE 2015/849 e Parlamentit dhe e Këshillit), është publikuar në Fletoren Zyrtare Ligji nr. 112/2020 “Për regjistrin e pronarëve përfitues” i cili përforcon rritjen e transparencës dhe të marrjes së masave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Ky ligj zbatohet për të gjithë personat juridikë të regjistruar në Republikën e Shqipërisë si më poshtë (sh.p.k, sh.a, OJF, zyrat e huaja të përfaqësimit, shoqëritë kolektive dhe çdo subjekt tjetër juridik, i cili me ligj detyrohet të regjistrohet pranë QKB-së). Nuk kanë detyrim regjistrimi dhe përjashtohen nga fusha e zbatimit të këtij Ligji vetëm personat fizikë, tregtarë të regjistruar në regjistrin tregtar si dhe ndërmarrjet me pronësi shtetërore, partitë politikë, e komunitetet fetare. Autoriteti publik i autorizuar nga Ligji dhe që do të menaxhojë regjistrin do të jetë Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB).
Ndërkohë, në funksion të përmbushjes së detyrimit ligjor për identifikimin, raportimin dhe regjistrimin e pronarit përfitues janë parashikuar masat ndëshkuese në rast të mospërmbushjes së këtij detyrimi, brenda afatit të parashikuar në ligj (afati është ai 30 ditor nga data e regjistrimit fillestar ose nga data e ndryshimit faktik). Mosregjistrimi i të dhënave për pronarin ose aksionerin e një shoqërie ose organizate jofitimprurese do të dënohet me gjobë në vlerën 500 000 (pesë qind mijë) Lekë. Ndërsa, mosregjistrimi i çdo ndryshimi në të dhënat e regjistruara dhe në dokumentet shoqëruese, dënohet me gjobë në vlerën 250 000 (dyqind e pesëdhjetë mijë) Lekë. Gjithashtu edhe përfaqësuesi ligjor, në rast mosregjistrimi dënohet me gjobë prej 150 000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) Lekësh. Subjektet raportuese ekzistuese duhet të regjistrojnë të dhënat e kërkuara nga ky ligj për pronarët e tyre përfitues jo më vonë se 60 ditë kalendarike nga krijimi i regjistrit.
Për më shumë informacion: info@legalealbania.com