Ndalimi i matjeve të paautorizuara të shikueshmërisë/Audiencës televizive
Vendim i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë nr. 2846, datë 21.07.2020
Në një nga çështjet e fundit gjyqësore të ndjekura (në mbrojtje të palës Paditëse) nga Legale Albania, përfaqësuar në gjykim nga Av. Dr. Lulzim Alushaj dhe i asistuar nga As. Av. Xhesilda Balashi, pranë Seksionit tregtar të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë u vendos pranimi i pretendimeve të palës Paditëse (Televizion me Licensë Kombëtare të transmetimit) dhe i ndërhyrësit kryesor (tjetër Televizion me Licensë Kombëtare të transmetimit) kundrejt një Shoqërie të së drejtës shqiptare e cila është aktive në tregun e parregulluar të matjeve të shikueshmërisë televizive.
Në parim, mbi tregun e parregulluar të matjes së Audiencës televizive, u pranua rregulli i ndalimit të matjeve dhe publikimit të të dhënave të matjeve nga persona apo subjekte të pa autorizuar nga subjekti ndaj të cilit bëhen matjet, dhe si pasojë e këtyre veprimeve Gjykata vendosi edhe shpërblimin e dëmit ndaj palës Paditëse. Bashkë me vendimin përfundimtar në shkallë të parë Kolegji gjykues ligjëroi edhe masën për sigurimin e padisë, të dhënë gjatë gjykimit, duke ndaluar matjet dhe publikimin e tyre deri në përfundimin e gjykimit me formë të prerë.
Është rasti i parë që një çështje e tillë, interesante dhe njëkohësisht komplekse, gjykohet nga një Gjykatë Shqiptare dhe që sigurisht përbën një nga rastet “shkollë” për gjykimet e çështjeve tregtare në raste të tilla dhe impaktit që do të sjellë në përmirësimin në tregun e mediave audiovizive në Shqipëri.
Për më shumë informacion: info@legalealbania.com