Ndryshime në Ligjin “Për nxitjen e punësimit”

Në Fletoren Zyrtare Nr. 105, datë 13.07.2023 është publikuar Ligji Nr. 47/2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr. 15/2019 “Për nxitjen e punësimit”, miratuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë më datë 22.06.2023. Me anë të këtij Ligji rregullohet edhe boshllëku procedurial në lidhje me pagesën e një vlere monetare për llogari të Fondit Social të Punësimit pasi tashmë përcaktohet që Punëdhënësi detyrohet të derdhë çdo muaj për llogari të Fondit Social të Punësimit një kontribut në masën 100 për qind të pagës minimale në shkallë vendi, nëse nuk punëson 1 person me aftësi të kufizuar për 25 punonjës e parë të ndërmarrjes dhe nga një person shtesë, për çdo 50 punonjësit e tjerë. Mbledhja e kontributit të derdhur nga ana e punëdhënësit do të monitorohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe çdo shkelje e konstatuar në mos zbatim të këtij detyrimi do të konsiderohet nga inspektorati shtetëror që mbulon fushën e punës si kundërvajtje administrative dhe do të dënohet me gjobë sipas përcaktimeve të ligjit për inspektimin e punës. Ministria e Financave është ngarkuar të miratojë në zbatim të këtij ligji, aktin nënligjor për procedurat dhe mënyrën e mbledhjes së kontributit për Fondin Social të Punësimit, brenda datës 31.12.2023. Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Për më shumë informacion: info@legalealbania.com

Legale Albania

http://legalealbania.com