Migracioni – Rregulla të reja mbi aplikimin online për vërtetim deklarimi për punësim për shtetasit e huaj
Shërbimi elektronik u vjen në ndihmë shtetasve te huaj për të aplikuar për t’u pajisur me vërtetim deklarimi për punësim për shtetas të BE-së, Zonës Shengen, të SHBA-së, Republikës së Kosovës.
Udhëzimi I Ministrit të Financave dhe Ekonomisë nr. 31, datë 13.8.2020 “Për deklarimin për punësim të shtetasve të vendeve të Bashkimit Europian dhe zonës Shengen, anëtarëve të familjes të shtetasve të vendeve të Bashkimit Evropian dhe zonës Shengen, që nuk janë shtetas të këtyre vendeve, shtetasve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shtetasve të Kosovës, Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe shtetasve që punësohen në sektorë të ndryshëm me qëllim rregullimin e pasojave dhe rimëkëmbjen nga fatkeqësi natyrore” parashikon se deklarimi për punësimin e shtetasve të këtyre vendeve si dhe shtetasve që punësohen në sektorë të ndryshëm me qëllim rregullimin e pasojave dhe rimëkëmbjen nga fatkeqësi natyrore, bëhet nga punëdhënësi ose vetë i huaji i vetëpunësuar apo investitor, në zyrën e punësimit në vendin ku kryhet aktiviteti, duke u pajisur me një dokument që vërteton deklarimin e tyre për punësim.
Punëdhënësi ose i huaji i vetëpunësuar apo investitor mund të aplikojë online në portalin e-Albania duke plotësuar formularin “Kërkesë për vërtetim deklarimi për punësim” bashkëlidhur me keto dokumente:
Kopje pasaporte ose ID;
Certifikatë familjare;
Kontratë qiraje (kopje) ose vetëdeklarim për adresën e banimit në territorin e Republikës së Shqipërisë të shtetasit të huaj;
Kontratë pune me punëdhënësin, statutin dhe aktin e themelimit (për shoqëritë) ose vërtetim regjistrimi në QKB (për personat fizikë) për të huajt e vetëpunësuar;
Kërkesa dhe dokumentacioni i drejtohet zyrës përkatëse të punësimit, në territorin e së cilës subjekti ushtron veprimtarinë ekonomike, dhe në Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive në nivel qendror, nëse subjekti pranë të cilit do të punojë shtetasi i huaj, e ushtron veprimtarinë ekonomike në më shumë se një rajon gjeografik. Pajisja e të huajit me vërtetimin e deklarimit për punësim behet në një afat kohor prej 5 ditë pune që nga dita e aplikimit.
Për më shumë informacion: info@legalealbania.com