Publikohet Ligji i ri “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”.

Në botimin e Fletores Zyrtare nr. 15, datë 21.01.2026 është publikuar Ligji nr. 96/2025, “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”, i cili shfuqizon Ligjin e mëparshëm nr. 60/2016.
Me anë të këtij ligji të ri, krahasimisht me ligjin e vjetër nr. 60/2016, janë shtuar përcaktime më të detajuara në drejtim të të drejtave të sinjalizuesit, ndihmësit dhe personave të lidhur me sinjalizuesin, njësisë përgjegjëse; procedurës së sinjalizimit dhe hetimit administrativ, transparencës dhe sistemit të mbrojtjes së sinjalizuesve; si dhe shtim i kundërvajtjeve dhe masave administrative.
Një ndryshim thelbësor, nga ligji i shfuqizuar, është se detyrimi për krijimin e njësisë përgjegjëse zbatohej vetëm për autoritetet publike me mbi 80 punonjës dhe subjektet private me mbi 100 punonjës, ndërsa Ligji i ri përcakton e ul këtë vlerë, në mbi 50 punonjës për çdo autoritet publik, subjekt privat dhe ent me kapital ose kontroll shtetëror, gjithashtu lejon mundësinë për krijimin e njësive të përbashkëta për subjektet private me 50 - 249 punonjës që ushtrojnë të njëjtën veprimtari, me kusht garantimin e konfidencialitetit dhe trajtimit efektiv të sinjalizimeve.
Organet përgjegjëse kompetente do të nxjerrin akte nënligjore në zbatim të Ligjit Nr. 96/2025, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, ndërsa subjektet private dhe autoritetet publike, në përputhje me udhëzimet e ILDKPKI-së, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, duhet të miratojnë rregulloret për përcaktimin e rregullave të sinjalizimit e njësisë përgjegjëse dhe për procedurat e hetimit administrativ dhe masat për mbrojtjen e konfidencialitetit.
Shkelja e detyrimeve që përcakton ky ligj dënohet me gjoba që variojnë nga 100,000 - 500,000 lekë.

Për më shumë informacion: info@legalealbania.com
Legale Albania
http://legalealbania.com

Për më shumë informacion: info@legalealbania.com

Legale Albania

http://legalealbania.com