Miratohet VKM për kompensimin e kontributeve të Punëdhënësit që preken nga Vendimi i Qeverisë për rritjen e pagës minimale në shkallë vendi

Këshilli i Ministrave ka miratuar Vendimin “Për përcaktimin e rregullave, kritereve dhe masës për kompensimin e kontributeve të Punëdhënësit për koston shtesë që krijohet si rezultat i rritjes së pagës minimale”, i cili pritet të hyjë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Ky vendim synon të mbështesë subjektet që preken nga Vendimi për rritjen e pagës minimale në shkallë vendi në vlerën 50,000 lekë/muaj bruto, duke parashikuar kompensimin financiar të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të paguara nga punëdhënësi për periudhën kontributive janar – shtator 2026. Ky kompensim financiar do të jepet mbi bazën e numrit maksimal të punonjësve me pagë bruto nga 40,000 lekë deri në 49,999 lekë, të deklaruar në listëpagesën e muajit shtator 2025 (sipas deklarimit të fundit gjatë vitit 2025).
Masa e kompensimit është 16.7% e diferencës midis pagës së deklaruar të punonjësit në shtator 2025 dhe pagës minimale të re prej 50,000 lekësh.
Për të përfituar nga kjo skemë, subjektet duhet të kenë më shumë se një punonjës të deklaruar në listëpagesë, të mos jenë subjekte në pronësi shtetërore apo ente publike, të mos jenë të regjistruara si të vetëpunësuar (me apo pa punëmarrës), të mos kenë detyrime (principal) ndaj organeve tatimore për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në momentin e aplikimit.
Aplikimi do të kryhet në mënyrë elektronike në portalin e-Albania, në llogarinë e subjektit.
Shërbimi për aplikim pritet të hapet më 1 prill 2026 dhe aplikimet do të jenë të mundura deri më 31 tetor 2026.

Për më shumë informacion: info@legalealbania.com

Legale Albania
http://legalealbania.com

Për më shumë informacion: info@legalealbania.com

Legale Albania

http://legalealbania.com